Object-Based Broadcasting, e ardhmja e transmetimit televiziv

Megjithëse rrjetet sociale sot e kanë “pushtuar” botën dhe i kanë ofruar konsumatorit mundësinë për të zgjedhur përmbajtjen që ky i fundit dëshiron, përsëri televizioni vazhdon të preferohet nga masa. Të paktën për sa i përket Sh.B.A-ve, një qytetar atje shpenzon mesatarisht 5 orë e gjysmë përpara televizorit. Kjo me siguri i kënaq tej mase producentët, por nga ana tjetër rrit akoma më shumë ambiciet për një rritje të kësaj shifre. Për këtë nuk po punojnë vetëm krijuesit e programeve, por edhe vetë kërkuesit shkencorë dhe inxhinierët e fushës.

Për ta kuptuar se çfarë është Object-Based Broadcasting duhet të kthehemi prapa në kohë. Të gjithë e dimë se transmetimi nisi me radion mono. I njëjti sinjal dërgohej tek të gjithë, merrej nga e njëjta pajisje që e kishim të gjithë, dhe të gjithë dëgjonim të njëjtën gjë. Askush nuk shqetësohej për gjërat si ambienti ku audienca po dëgjonte programin.

Por që atëherë transmetimi ka bërë një rrugë të gjatë, që nga audio stereo, figura bardhë e zi, ngjyrat, imazhi HD dhe audioja me 5 kanale surround sound që të gjithë i kemi sot nëpër shtëpitë tona.

Këto janë zhvillime mbresëlënëse dhe parimisht i njëjti sinjal dërgohet tek të gjithë, dhe ju keni të drejtë të pyesni “Çfarë problemi ka këtu?”

Kur e gjithë audienca dëgjonte radio nga jo kutia e vogël druri me një spiker, nuk kishte asgjë të keqe që i njëjti sinjal të transmetohej tek të gjithë. Por kohët kanë ndryshuar dhe përmbajtjet nuk konsumohen nga audienca si më parë. Siç e dimë të gjithë, teknologjia ka avancuar tej mase dhe numri i pajisjeve që mund të marrë sinjal linear (TV dhe Radio) është shumë i madh, dhe falë zhvillimit të teknologjisë mobile dhe popullaritetit të kufjeve, varion edhe mjedisi në të cilën audienca e ndjek këtë përmbajtje lineare. Kështu që dërgimi i të njëjtit sinjal tek të gjithë ka nevojë për kompromis në këtë pikë.

Programuesit dhe dizenjuesit e kanë zgjidhur më herët këtë problem në web duke krijuar dizajnin responsiv. I njëjti informacion i dërgohet secilit përdorues në web, por dizajni dhe ndërfaqja përshtaten pajisjes që lexuesi po përdor për ta parë atë faqe.

Por si mund ta ekuivalentojmë dizajnin responsiv në televizion dhe radio? Arsyeja se pse websitet mund të përgjigjen dinamikisht është se ato nuk janë transmetime lineare videosh, ato janë vizualizime të dhënash në kohë reale. Për vizualizimin përdoren asetet e zakonshme si: tekstet, imazhet, videot dhe audiot, por ekziston një ‘metadata’ e cila vendos se si këto asete do të shfaqen në varësi të pajisjes që bën kërkesën për t’u shfaqur.

E njëjta logjikë përdoret edhe në Object-Based Broadcasting (Transmetimi i bazuar tek objekti).

Le të marrim një dramë në radio si shembull. Në vend që të transmetohet sinjali i audios stereo, i cili përmban një përzierje të parapërgatitur të dialogut, rrëfimit, efekteve të zërit, muzikës dhe atmosferës skenike, secili nga këto tinguj dërgohet si një objekt audio i veçantë. Bashkë me këto objekte transmetohet edhe një ‘metadata’ e cila tregon se kur duhet të ndodhë një tingull dhe sa i lartë duhet të jetë ai. Të gjitha këto transmetohen tek një marrës. Dhe për shkak se këto të dhëna ri-asemblohen tek marrësi, objektet mund të ri-asemblohen ndryshe për secilin dëgjues duke e adaptuar metadata-n në varësi të marrësit të tij.

Transmetimi tradicional vs. Transmetimi i bazuar mbi objektin

Sapo ky lloj transmetimi të implementohet, eksperienca televizive për audiencën e gjerë do të përmirësohet ndjeshëm. Për shembull:

  • Nëse do të ishit duke parë një film nëpërmjet smartfonit tuaj, tingulli do t’i përshtatej dëgjimit me kufje, dhe imazhi një ekrani të vogël.
  • Xhaxhai im do të lumturohej shumë nëse do t kishte mundësi të rriste masën e titrave gjatë transmetimit të lajmeve.
  • Dikush do të mund të zgjidhte pozicionin në të cilin do të ulej në sallën e një koncerti të muzikës klasike, nëse po shikon një të tillë.

BBC dhe partnerët e tij po punojnë shumë për ta bërë Object-Based Broadcasting një realitet për të gjithë, por megjithatë një avancim i tillë në botën e transmetimit televiziv kërkon kohën e tij.

Po ju, si mendoni se Object-Based Broadcasting do ta ndryshonte kualitetin e eksperiencës suaj me transmetimin televiziv?

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.