Blog: A nuk po avancon ca si shumë shpejt teknologjia?
Ishte revolucioni industrial në vitet 1800 zanafilla e gjithë këtij zhvillimi kolosal që ndryshoi përgjithmonë njerëzimin, në të gjitha aspektet. Dhe ja ku jemi sot. 216 vite pas këtij revolucioni, por bota sot gjendet në një tjetër revolucion, në atë teknologjik. Dhe madje është në kulmin e tij. Teknologjia avancon çdo ditë e më shumë, deri sa bëhet e pakapshme dhe e papërballueshme për pjesën më të madhe të popullsisë në këtë planet.
Çdo ditë lexoj shumë për teknologjinë dhe zhvillimet e shumta në këtë fushë, dhe habitem sepse çdo ditë has terma të ndryshëm dhe të cilët më duhet t’i “gugëlloj” për të marrë vesh kuptimin e tyre. Ja për shembull, vetëm para pak ditësh lexova artikullin për iPhone 8, dhe në të shkruhej se një nga karakteristikat e iPhone 8 do të ishte edhe një Touch ID ultrasonik. E ç’është kjo? Sa është nevoja reale e konsumatorëve për këtë karakteristikë?
Gjithçka po e zëvendëson inteligjenca artificiale, madje edhe vendet e punës. Jo më larg se para 4 ditësh lexuam lajmin se Foxconn ka zëvendësuar gjysmën e punëtoreve (rreth 60,000) me robotë. Pra, ja ku jemi. Robotët dhe Inteligjenca Artificiale, dalëngadalë po zëvendësojnë edhe njeriun, krijuesin e tyre. Dhe ky është vetëm fillimi.
Sigurisht që unë jam dhe do të mbetem një admirues i teknologjisë dhe inovacionit, por a nuk po ndodh gjithçka shumë shpejt? D.m.th. duket sikur kjo teknologji e krijuar nga vetë dora e njeriut, po zhvillohet çdo ditë e më shumë dhe po e zëvendëson edhe vetë atë. Dhe kjo po ndodh vetëm në një pjesë të globit, ndërkohë që pjesa tjetër vazhdon të mbetet prapa.
Po ju, si mendoni? A po avancon ca si shumë shpejt teknologjia për ju? A mund ta parashikoni ju se çfarë do të ndodhë pas 10 vitesh?