fbpx

Blog: A duhet të përditësojmë iPajisjen tonë në iOS 9.3?

Menjëherë pas përfundimit të konferencës së saj në mbrëmjen e 21 Marsit (me orën tonë lokale) Apple ka lëshuar menjëherë për përditësim versionin më të fundit të sistemit të saj operativ për iPajisjet, iOS 9.3.

Dhe siç e kemi shpjeguar edhe në artikullin e mëparshëm, iOS 9.3 sjell një sërë karakteristikash mjaft interesante që jam i sigurt se shumica prej jush me zi i keni pritur, dhe të tjera të cilat nuk vlejnë në vendin tonë.

Unë me zi pres që të vijë një përditësim me përmirësime të iOS, duke qenë që gjithmonë kam patur vërejtje për shumë aspekte të iPajisjes time, dhe mund të them që jam një ndër të parët që e përditësoj iPajisjen time në versionin më të fundit iOS, në mënyrë që të marr të gjitha risitë që sjell ai. Personalisht, iOS 9.3 e kam testuar në një iPhone 5 16GB, dhe duke qenë se kjo iPajisje i përket një gjenerate shumë të vjetër, rezultatet e testimit mund të jenë relative. Por megjithatë, le të fillojmë me përshtypjet e mija për secilën karakteristikë:

Performanca

Mund të them që performanca e iOS 9.3 në iPajisjen time më ka lënë shumë mbresa. Ndërsa unë prisja që iPhone 5-a ime të ngadalësohej tmerrësisht shumë, por përkundrazi është përshpejtuar tej mase dhe më duket sikur e kam blerë dje. Koha e hapjeve dhe mbylljeve të aplikacioneve është reduktuar dhe efikasiteti është rritur. Procesi i Boot-imit mund të marrë pak kohë, por dijeni se ka për t’ia vlejtur barra qiranë.

Bateria

Më duhet ta pranoj se bateria gjithmonë ka qenë një problem për mua, duke qenë që gjithmonë harxhohej shumë shpejt, ose të paktën kanë qenë pritshmëritë e mija shumë optimiste për këtë aspekt.

Me iOS 9.2.1 (dhe besoj se edhe me versionet më të vjetra të iOS) unë kam arritur të nxjerr rreth 3 orë përdorim të saj, duke përfshirë këtu internetin 3G, lojra, etj. Por pak a shumë e njëjta situatë është edhe me iOS 9.3, por siç e kam thënë në fillim, iPhone-i im i përket një gjenerate shumët të vjetër, dhe kohëzgjatja e baterisë mund të jetë relative.

Night Shift

Duke qenë që unë e përdor shumë iPajisjen time natën, “Night Shift” ka qenë ajo karakteristikë e iOS 9.3 që më ka shtyrë më së shumti ta merrja këtë përditësim. Dhe nuk mund të përdorja f.lux-in për shkak se kisha përditësimin më të fundit të iOS dhe Jailbreak-u për të nuk ishte i disponueshëm.

Por SURPRIZË! Edhe pse nuk përmendej në listën e risive të iOS 9.3, Night Shift nuk do të jetë i disponueshëm për pajisjet e vjetra me arkitekturë 32-bit. Pavarësisht se nuk kërkon ndonjë njësi fizike shtesë për të funksionuar, arsyeja pse Night Shift nuk është në dispozicion për pajisjet me arkitekturë 32-bit, është se Night Shift është koduar ekskluzivisht në kodim 64-bit. Dhe pa procesor A7 ose më të ri nuk mund të funksionojë.

Mos e vrisni mendjen, thjeshtë kini pak durim deri sa të dalë Jailbreak për iOS 9.3, dhe më pas f.lux-i do të bëhem miku juaj më i mirë.

Notes

Sigurisht që kur më duhet të mbaj ndonjë shënim të shpejtë, fletorja dhe stilolapsi ia kanë dorëzuar stafetën aplikacionit Notes, dhe mendoj se është mjaft ide e mirë të përdorim pajisjet teknologjike në mënyrë produktive.

Karakteristika e mbrojtjeve të shënimeve me fjalëkalim më pëlqen dhe mendoj se na nevojitet të gjithëve. Lista e aplikacioneve të besueshëm vazhdon e rritet.

Siç e përmenda në fillim të postimit, iOS 9.3 ka sjellë një sërë karakteristikash të reja dhe mjaft të nevojshme, por jo të gjitha janë funksionale në vendin tonë apo të paktën për disa pajisje të caktuara.
Duke iu referuar testimeve të sipërpërmendura, do e vlerësoja përditësimin e iOS 9.3 me 7 nga 10 pikë të mundshme. Kështu që po, mund ta përditësoni sistemin e operimit të iPajisjes suaj.

Nëse e keni përditësuar tashmë iOS në versionin 9.3, ju mund t’i shkruani përshtypjet tuaja në formën e komenteve më poshtë.

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.