Prezantohet makina elektrike e shumëpritur Tesla Model 3, shitjet do të fillojnë në 2017-ën dhe çmimi do të nisë nga $35,000
Pas dhjetë vitesh pritjeje, Tesla ka prezantuar “Model 3”, mjetin të cilin Shefi Ekzekutiv Elon Musk shpreson se do ta çojë makinën elektrike tek masa.
Gjatë prezantimit të Model 3 këtë mbrëmje në studion e dizajnit të kompanisë në Hawthorne, Kaliforni, Shefi Ekzekutiv i Tesla-s Elon Musk tha se makina me një rang 346 kilometrash do të kushtojë vetëm $35,000, dhe ky është një pretendim i guximshëm dhe shumë i rëndësishëm për tu mbajtur nga Tesla. Musk është i bindur se shitjet e mjetit do të fillojnë nga fundi i vitit 2017, dhe “ju nuk do të jeni në gjendje të blini një makinë më të mirë për $35,000.” Dhe do të jetë një ndër makinat më të sigurta në botë, thotë Musk.
Për të prenotuar makinën, duhet të dorëzoni fillimisht $1,000, dhe sipas Tesla-s, numri ka arritur më shumë se 130,000 dhe vazhdon të rritet çdo orë.
“Nga 0 në 96,5 KMh në më pak se 6 sekonda.”
Makina bazë do të arrijë 0 në 96,5 KMh në më pak se 6 sekonda, dhe më pas radha vazhdon me makina të tjera të cilat do të arrijnë shumë më tepër. Rangu do të jetë të paktën 346 KM, por Tesla shpreson ta rrisë këtë numër në modelin final të makinës. Të gjitha makinat Model 3 do të përfshijnë mbështetjen për rrjetin e superkarikimit me shpejtësi të lartë të Tesla-s, sepse “bëhet fjalë për të shkuar ku të keni dëshirë”, sipas Musk. Nga fundi i 2017-ës, kur të lançohet Model 3, Tesla thotë se do të ketë në total 7,200 superkarikues, duke dyfishuar kështu numrin e tyre të cilët janë në dispozicion sot.
“Rang 346 KMh dhe mbështetje standarte për superkarikim.”
Njësoj si Model S, Model 3 do të vijë me të dy versionet e funskionimit me gomat e prapme dhe me të gjitha, dhe brenda ka një ekran 15″ me prekje, një ndryshim interesant ky nga ekrani 17″ me touchscreen në Model S dhe X. Hardueri autopilot është standart, dhe të gjitha karakteristikat e sigurisë do të aktivizohen automatikisht. Makina arrin të nxë në të 5 persona të rritur ku mund të qëndrojnë në mënyrë të rehatshme, “rehatia është një pjesë e rëndësishme këtu”, thotë Musk.
Pjesa e tavanit që prej fillimit e deri në fund, nga xhami i përparmë deri në bagazh, do të jetë një pjesë xhami e vazhdueshme. Dhe, njësoj si Model S, do të ketë vend të mjaftueshëm për bagazhe. “Më shumë kapacitet ngarkese se sa çdo makinë tjetër e të njëjtit dimension që funksionon me karburant,” thotë Musk. Ju mund të fusni aty brenda edhe një dërrasë sërfi 2,3 metra.
Duke filluar nga $35,000.
Dy makinat aktuale të Tesla-s, Model S dhe Model X, janë të dyja jashtëzakonisht shumë të shtrenjta. Edhe me nxitjen e taksave, të dyja makinat e tejkalojnë shumën $100,000. Në mënyrë që Tesla të shesë 10 herë më shumë makina se tani, i duhet një makinë shumë herë më e lirë. Ky është Model 3, e ardhmja e kompanisë.
Por mos prisni ta prekni këtë makinë në pak kohë. Model 3 pritet të fillojë prodhimin deri në fund të vitit 2019, më shumë se 18 muaj nga tani. Tesla do të jetë e lumtur që të marrë prenotimin tuaj duke parapaguar një shumë modeste prej $1,000. Tesla planifikon që të dyfishojë përmasat e marrëveshjeve dhe rrjetin e shërbimeve të saj deri në fund të vitit të ardhshëm, që të shesë dhe të kujdeset për të gjitha këto makina.
Për ta krahasuar, konkuruesi më i madh i drejtpërdrejtë i Model 3 është Chevy Bolt. General Motors thotë se makina do të ketë një rang elektrik më të madh se 321 KM dhe një çmim rreth $30,000.
Por sot flitet vetëm për Model 3, për kulmin e planit të Tesla Motors. Elon Musk tha gjithçka në një postim në blogun e tij 10 vite më parë:
- Ndërto makina sportive – Tesla Roadster
- Përdor paratë për të ndërtuar një makinë më të përballueshme – Model S
- Përdor paratë për të ndërtuar një makinë edhe më shumë të përballueshme – Model 3
Gjatë prezantimit të Model 3 këtë mbrëmje, Elon Musk gjithashtu falenderoi blerësit e makinave Model S dhe Model X për financimin e zhvillimit të makinës. Model 3 është pika kulmore e një pune dhjetë vjeçare. Elon Musk po investon miliarda në të, dhe duhet që të ketë sukses pa tjetër. E ardhmja e Tesla Motors, fjalë për fjalë, varet në suksesin e saj.