Si t’i trembni për vdekje miqtë tuaj me “Fakeupdate”
Nuk po e shtyni dot kohën? Doni t’i bëni ndonjë lojë të vogël miqve apo kolegëve tuaj? Epo në këtë postim do t’ju tregojmë jo vetëm se si t’i vini në lojë ato, por edhe se si ti trembni ato për vdekje me “Fakeupdate”. (Në fund mos na thoni që nuk ju paralajmëruam.)
Të gjithë i urrejmë përditësimet e sistemeve të operimit. Sado kritike të jenë ato, nuk duam të harxhojmë asnjë sekond duke pritur që të instalohen, sidomos kur bëhet fjalë për Windows-in ku përditësimet e të cilat mund të kërkojnë orë të tëra për tu kompletuar. Apo ai teksti që është në ekran “Mos e fikni kompjuterin tuaj deri sa të përfundojnë përditësimet.” Një makth i vërtetë!
Fakeupdate.net është një faqe në internet e cila ju lejon ju të shfaqni në ekran imazhe animuese sikur sistemi operativ i kompjuterit që po përdorni po përditësohet. Përmban imazhet e përditësimit thuajse të të gjitha sistemeve, duke filluar që nga Windows (98, XP, Vista, 7, 8, 10), macOS, Steam dhe Ubuntu.
Ajo që duhet të bëni ju është që të vizitoni webfaqen, të klikoni një prej imazheve të sistemit të operimit të cilin po përdorni, shtypni “F11” për ta hapur atë në “Full Screen”, dhe sistemi operativ i kompjuterit tuaj do të duket sikur është futur në një proces përditësimi i cili nuk ka fund.
Por prisni! Ka edhe më. Nëse shtypni “Enter”, në ekran do të shfaqet “Blue Screen of Death”, ç’ka do ta bënte edhe më “rrënqethëse” situatën.
Bëjani këtë rreng miqve apo kolegëve tuaj, dhe na thoni reagimin e tyre tek komentet më poshtë. Ne do të jemi duke pritur me kokoshkat përpara.