Çfarë e shkakton zbrazjen e baterisë së smartphone-it dhe si ta rregulloni atë
Mirë. Meqë e pamë se ishit të pa kënaqur me performancën e baterisë së smartphone-it tuaj në sondazhin që publikuam pak orë më parë, vendosëm që në këtë artikull të mundohemi sadopak t’ju shpjegojmë (të paktën për ata që nuk e dinë) se çfarë e shkakton zbrazjen e baterisë dhe si mund ta rregulloni atë.
Po ti hedhësh një sy internetit, do të shikosh se çështja e “baterisë” është më e diskutuara, dhe ankesat nuk kanë fund. Ose thjeshtë më pyet mua se sa i kënaqur jam unë me baterinë e smartphone-it tim, e do t’ju them fjalët më të këqija për të.
Çështja e zbrazjes së baterisë është shumë e ndërlikuar dhe mund të shkaktohet nga një sërë faktorësh, duke filluar çështje teknike me probleme me karikuesin e deri në kapacitetin dhe konsumimin e baterisë nga qarqet e brendshme të smartphone-it. Në vijim do t’ju njohim me disa nga këto faktorë dhe do t’ju japim një zgjidhje të mundshme të tyre.
1- Karikuesi juaj mund të mos jetë origjinal.
Ky është një ndër faktorët më të përhapur në lidhje me jetëgjatësinë e ulët të baterisë, pasi përveç faktit se një karikues jo origjinal mund të mos arrijë të karikojë 100% baterinë, mund të dëmtojë edhe kapacitetin e saj, dhe kur ju ta karikoni atë me një karikues origjinal, përsëri nuk do të arrijë të karikohet në 100%, paçka që në ekran mund të tregojë që bateria është karikuar plotësisht.
Nëse smartphone-i juaj ka qenë i përdorur më parë, nuk e keni blerë nga shitës të autorizuar, apo e keni blerë karikuesin veç në internet, ju ftoj të bëni një kërkim në internet për të zbuluar nëse ai është origjinal apo jo, sa nuk është vonë.
2- Aplikacionet konsumojnë më shumë bateri seç duhet.
Shkoni tek Settings > Battery dhe aty do të gjeni aplikacionet e radhitur sipas konsumimit të baterisë të shoqëruar me përqindjet respektive, dhe të dhëna të tjera për sa i përket përdorimit të baterisë.
Disa prej tyre mund ta kenë konsumuar baterinë gjatë kohës që ju nuk i keni përdorur ato (në Background) kështu që do të ishte mirë që ta çaktivizonit këtë opsion duke shkuar tek Settings > General > Background App Refresh dhe ta çaktivizonit si opsion ose thjeshtë aplikacionet specifike.
3- Rrjeti celular i dobët.
Nëse edhe ju keni të shënuar “Low Signal” poshtë aplikacioneve që përdorin internetin, atëherë do të thotë që unë nuk jam çmendur. Edhe para se të shkruaja këtë artikull, kam bërë shumë kërkime për zbrazjen e baterisë dhe jam fokusuar kryesisht tek rrejti celular. Nuk kam lënë rrjet celular pa provuar dhe me të gjithë kam pasur të njëjtin përfundim. Akoma isha i paqartë deri sa pyeta një inxhiniere telekomunikacioni për këtë çështje, dhe ajo ma pohoi këtë problem me plotë bindje.
Përdorimi i internetit (me rrjet celular të kualitetit të ulët, si në rastin e rrjeteve të operatorëve celularë në vendin tonë) është shkaku kryesor i zbrazjes së baterisë.
Sigurisht që ju nuk mund të bëni asgjë për ta rregulluar këtë problem pasi nuk është aspak në dorën tuaj, por tërësisht në dorë të operatorëve celulare dhe AKEP-it. Por ajo që mund të bëni ju, është që të zgjidhni një operator i cili ka mbulim më të mirë në një zonë ku ju e përdorni celularin tuaj të lidhur me internet më së shumti (në shtëpinë tuaj p.sh.). Kjo do ta ndihmonte reduktimin e zbrazjes së baterisë sadopak.
4- Bateria juaj mund të jetë shumë e konsumuar.
Këto që po shikoni në këtë foto, janë të dhënat e baterisë sime. Gjithçka duket më se normale, deri sa shikon numrin e cikleve. Po të bësh një llogaritje fare të thjeshtë duke e zënë se e kam karikuar baterinë e smartphone-it tim çdo ditë, na rezulton se unë e kam përdorur këtë të fundit për 3,7 vite. Goxha kohë? Ë? E të mendosh që nuk kam lënë fjalë të keqe pa thënë për të…
Por çfarë mund të bëjmë në këtë rast?
Ideja e parë është që të zëvendësojmë baterinë ekzistente me një të re, duke shkuar tek një servis i autorizuar apo dyqan zyrtar i kompanisë dhe të flasim me to për problemin dhe zgjidhjet e mundshme, ku në shumicën e rasteve është zëvendësimi i baterisë me një të re.
KUJDES! Ky veprim nuk duhet të bëhet në servise të paautorizuara apo nga vetë ju, pasi në të dyja rastet ka shumë mundësi që bateritë të jenë blerë në internet, dhe janë shumë të rralla rastet kur bateritë e blera në internet të jenë origjinale. Nëse bateria nuk është origjinale, ajo mund të ketë të njëjtën performancë në smartphone-in tuaj si ajo aktuale, madje mund të shkaktojë mbinxehje e dëme të tjera në smartphone-in tuaj.
5- Problemi mund të jetë në brendësi të smartphone-it.
Smartphone të ndryshëm kanë bateri të ndryshme të përbërë nga lëndë të ndryshme, dhe kapaciteti i tyre mund të jetë i ulët. Dhe në brendësi qarqet, diodat, ekrani, dhe pjesë të tjera të spartphone-it mund të kenë rendiment të ulët dhe mund të kërkojnë më shumë kapacitet bateri për të funksionuar normalisht.
Këto probleme gjenden kryesisht në smartphone-t me çmim të ulët, por nuk është çudi që edhe celulari juaj i shtrenjtë të ketë të njëjtin problem. Nëse i keni shkëmbyer pjesët e tij, si ekrani, kamera, etj me pjesë jo origjinale.
Ajo çka mund të bëni në këtë rast, është përsëri t’iu drejtoheni një servisi të autorizuar apo dyqani të kompanisë.
6- Mbase thjeshtë duhet ta kurseni baterinë e smartphone-it tuaj.
Mbase gjithçka shkon siç duhet me baterinë e smartphone-it tuaj, por thjeshtë ju mund të jeni duke abuzuar me shpenzimin e saj, dhe duhet t’i vini pak fre. Ja disa sugjerime me hapat përkatës:
1. Aktivizoni “Low Power Mode”. Falë përditësimit më të fundit të iOS, ju tani mund ta kurseni baterinë e smartphonei-t tuaj me një opsion të vetëm, i cili do të çaktivizojë disa opsione të cilat e shpenzojnë shumë baterinë dhe të cilat me siguri as që ju nevojiten fare. për ta bërë këtë, shkoni tek Settings > Battery dhe aktivizoni opsionin “Low Power Mode.
2. Ulni ndriçimin. Ekrani konsumon një pjesë të mirë të baterisë, dhe për ta reduktuar këtë ulni ndriçimin deri në atë pikë që mund të shihni lehtësisht (KUJDES! Ulja e tepërt e ndriçimit shkakton përforcimin e syve për të perceptuar lehtësisht, dhe rrjedhimisht do t’i dëmtojë ato). Gjithashtu aktivizoni “Auto-Brigtness”.
3. Çaktivizoni shërbimet e lokacionit. Përcaktimi i vazhdueshëm i vendndodhjes dhe dërgimi i të dhënave konsumon shumë bateri kështu që, nëse nuk e keni të çaktivizuar këtë shërbim, mund ta çaktivizoni duke ndjekur hapat më poshtë.
4. Çaktivizoni vibracionet. Që para se të dilnin smartphone-t, qarkullonin thashetheme të cilat thoshin se vibracionet e konsumonin jashtëzakonisht shumë baterinë, megjithëse me celularët e atëhershëm bateria nuk ishte fare problem. Por duke qenë se me këta të sotshmit është, mirë do të ishte që t’i reduktonit vibracionet e smartphone-it.
Këto janë disa nga arsyet se përse bateria e smartphone-it tuaj shkarkohet shumë shpejt. Dhe këto janë mënyrat se si mund ta reduktoni shkarkimin e tyre të shpejtë. Ose të paktën kaq dimë ne.
Nëse ju kenë ndonjë marifet të tuajin se si e kurseni baterinë e smartphone-it tuaj, mund të na e thoni atë në formën e komenteve më poshtë.