Facebook i shpall luftë artikujve “click bait”
Nuk e di për ju, por sa herë që unë shfletoj News Feed-in tim të Facebook, është e pamundur që të mos gjej të paktën një artikull “click bait”. Sigurisht, me atë titullin qesharak që i karakterizon, dhe imazhe joshëse të të gjitha llojeve.
Dhe këto artikuj, të shumë përdorur nga portalet, janë bërë një problem shumë i madh për përdoruesit e Facebook dhe për vetë rrjetin social, saqë drejtuesit e këtij rrjeti kanë vendosur t’i bllokojnë ato.
Po, duke filluar që sot e tutje, ju nuk do të keni më artikuj “click bait” në kryefaqen tuaj. Haleluja!
Por si do t’i mund ti bllokojë Facebook artikujt “click bait”?
Facebook ka përgatitur një algoritëm të ri i cili do të filtrojë çdo artikull të publikuar në rrjetin social nëse ai përmban një nga këto lloje titujsh:
- Ju nuk do ta besoni se…
- Shikoni se si…
- Filani/filania bëri këtë “gjë”, dhe më pas u SHOKUA! etj.
Dhe më pas nuk do ta lejojë që të shfaqet në News Feed-in e përdoruesve. Ky do të jetë pak a shumë i njëjti algoritëm që përdor Gmail për të bllokuar e-mail’et “spam”.
Çfarë ndikimi do të ketë bllokimi i artikujve “click bait” në Facebook?
Si një përdoruesi Facebook i cili i urren artikujt “click bait”, mendoj se ky vendim i Facebook do të përmirësojë jo vetëm rrjetin, por të gjithë internetin. Këto lloj artikujsh, falë edhe inteligjencës së ulët të përdoruesve, kanë arritur të zënë një pozicion mjaft të mirë në interesin e përdoruesve, duke lënë prapa kështu shumë artikuj të tjerë të shtypit dinjitoz të cilët vazhdojnë e ndjekin me përpikëri rregullat e gazetarisë. (Artikujt “click bait” bien ndesh me çdo rregull apo parim të gazetarisë.)
Kështu që bëhuni gati për një epokë të re të informimit. Atë të informimit të qartë, të pastër dhe pa “click bait”. 🙂