Gjermania konsideron gjobitjen e Facebook me 500,000 euro për çdo lajm të rremë të shpërndarë në të

Qeveria Gjermane ka marrë në konsideratë imponimin e një ligji i cili do të gjobisë rrjetet sociale si Facebook me rreth 500,000 euro çdo ditë për çdo “lajm të rremë” që platforma do të lërë pa fshirë.

Duke marrë parasysh dëmet nga lajmet e rreme, qeveria Gjermane do të marrë parasysh një rezolutë e cila do të lejojë ankimimin si zyrtar ashtu edhe privat për të etiketuar përmbajtjet të cilat konsiderohen “lajme të rreme”.

Ligji do t’i detyrojë rrjetet sociale që gjithashtu të krijojnë zyra brenda vendit për t’u marrë vetëm me kërkesat për të “rrëzuar” këto lloj përmbajtjesh, dhe do ti bëjë këto rrjete përgjegjëse për dëmshpërblim nëse postimet nga individët do të prishin imazhin e ndokujt.

“Nëse pas kontrollimit Facebook nuk arrin ta fshijë postimin ofendues brenda 24 orëve, atëherë ai duhet të përballet me pasojat e gjobave deri në 500,000 euro” tha për Der Spiegel Thomas Oppermann, përfaqësuesi i Partisë Social Demokrate në parlamentin Gjerman.

Ligjvënësit Gjermanë besojnë se ky ligj do të pengojë ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet Parlamentare të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.

Agjencia Gjermane e Inteligjencës ka paralajmëruar se Rusia mund të përpiqet që të ndërhyjë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm duke vënë në punë robotë të automatizuar në mediat social për të përhapur lajme të pavërteta.

Disa anëtarë të parlamentit kanë përkrahur kriminalizimin e të ashtuquajturave “lajmeve të rreme”. Patrick Sensburg, një deputet i partisë së Merkel-it tha së fundmi: “Përdorimi i dizinformimit për të destabilizuar një shtet duhet të quhet vepër penale.”

Hans-Georg Maassen, kryetari i Agjencisë Gjermane të Inteligjencës, tha për Bild am Sonntag: “Facebook po përfiton një shumë të majme parash me anë të lajmeve të rreme.” Ai shtoi: “Një kompani e cila përfiton miliarda nga interneti ka gjithashtu përgjegjësi në shoqëri.”

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.