WhatsApp do të ndajë më shumë të dhëna me Facebook
WhatsApp njoftoi se do të shpërndajë më shumë të dhëna për përdoruesit e tij edhe në Facebook, duke përfshirë këtu edhe numrin e telefonit.
Sipas kompanisë, lidhja mes aplikacionit të dërgimit të mesazheve, telefonatave audio dhe video bëhet me rrjetin social për të përmirësuar sektorin e “sugjerimeve të miqësisë” dhe atë të reklamave në Facebook.
Në bazë të shkëmbimit të këtyre të dhënave, Facebook do të jetë në gjendje që të sugjerojë që ju të bëni miq persona që kanë shkëmbyer numrat e telefonit me njëri-tjetrin, por që nuk janë ndërlidhur në rrjetin social.
Përveç kësaj, WhatsApp thotë se ky ndryshim do të ndihmojë edhe në luftën kundër ‘spameve’ dhe abuzimeve. Në komunikimin mes dy kompanive përfshihet edhe informacioni se kur është përdorur shërbimi për herë të fundit, por jo mesazhet e shkëmbyera.
“Mesazhet tuaja janë te enkriptuara dhe mbeten private edhe se askush tjetër nuk mund t’i lexojë. As WhatsApp, as Facebook, askush tjetër”, thuhet në deklartën e bërë nga WhatsApp.
Por për disa analistë, lëvizja edhe nëse nuk shkel privatësinë e përdoruesve, është një ‘tradhëti’ që u bëhet atyre.
“Kur WhatsApp u ble nga Facebook, u tha se do të ruante pavarësinë. Tani do të shpërndajë me rrjetin social numrat tanë. Bëri pikërisht atë që u tha përdoruesve që nuk do të bënte” – thotë Pamela Clark-Dickson, analiste në Ovum.
WhatsApp u ble për shumën rekord prej 19 miliardë dollarësh nga Facebook në vitin 2014 dhe këto janë ndryshimet e para të kushteve të sigurisë dhe privatësisë që prej asaj kohe.