Terminologji Informatike: Emrat e Përveçëm
Në përputhje me parimin e dokumentit të Kongresit të Drejtshkrimit të Shqipes [1], kapitulli III, § 37, shkrimi i emrave të përveçëm të huaj mbështetet përgjithësisht në shqiptimin e tyre në gjuhët përkatëse, duke iu përshtatur sistemit grafik të shqipes. Në shfaqjen e parë të një emri të kësaj kategorie mund të shënohet në kllapa edhe shkrimi i tij sipas grafisë së gjuhës nga buron. Pra, i shkruajmë emrat e njerëzve si më poshtë:
Ernest Heminguej (Ernest Hemingway), Teodor Drajzer (Theodore Dreiser ), Xhorxh Oruell (George Orwell ), Uiliam Shekspir (William Shakespeare), Stiv Xhobs (Steve Jobs), Mak Mek-Donald (Mac McDonald ), Shon Konëri (Sean Connery), Tomas Man (Thomas Mann), Leonard Oiler (Leonhard Euler), Blez Paskal (Blaise Pascal) etj.
Pas shfaqjes së parë, që shoqërohet me sqarimin në kllapa të shkrimit të emrit në gjuhën burimore, shfaqjet e tjera shkruhen si më sipër po pa sqarime të mëtejshme në kllapa. Shkruajmë në të njëjtën mënyrë emra vendesh si:
Nju-Jork (New York), Uashington (Washington), Mynhen (München), Cyrih (Zürich), Mançester (Manchester) etj.
Përshtatja grafike e këtyre emrave bën që ata të lakohen njësoj si emrat e përveçëm të shqipes, pra me mbaresa të trupëzuara dhe pa përdorur shenjën e vizës (-) për ndarjen e mbaresës nga rrënja e emrit. Pra shkruajmë:
ardhja e Xhorxh Bushit, foli Uashingtoni zyrtar, skuadra e Mançesterit, lexoj Uiliam Shekspirin, roman nga Teodor Drajzeri, shpikje e Blez Paskalit, qyteti i Mynhenit, aeroporti i Cyrihut etj.
Duhet theksuar gjithsesi se ndodh shpesh që rregulli i mësipërm të shmanget, veçanërisht në kopertinat e përkthimeve të librave të huaj artistikë, ku emrat e autorëve shkruhen si në paraqitjen e tyre në gjuhën e huaj dhe jo të përshtatura sipas alfabetit të shqipes. Lexojmë pra shpesh në kopertina të librave emra autorësh si George Orwell në vend të Xhorxh Oruell, Ernest Hemingway në vend të Ernest Heminguej, Thomas Mann në vend të Tomas Man etj. Ndërkohë, emrat e përveçëm të firmave dhe markave të njohura ndërkombëtarisht paraqesin vështirësi e probleme edhe më të mëdha. Emra të tillë ndeshen shpesh në ligjëratën e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimit, ku firmat e mëdha ndërkombëtare njihen për markat e tyre të kompjuterave, telefonave të mençur, sistemeve operative, programeve të ndryshme etj. Emrat e kësaj kategorie njihen ndryshe si emra të regjistruar apo të rezervuar dhe në shumicën e rasteve përfshijnë vetëm një fjalë. Nëse do t’i qëndronim rregullit të mësipërm, do të shkruanim:
Fejsbuk, Gugëll, Wërd, Instëgram, Epëll, Juniks, Soni, Paithën, Majkrosoft, Xhava, Uindous, Xhavaskript, Sisko, Samsung Galaksi, Paskal (gjuha e programimit), aifëun, Zimens etj.
Në këtë mënyrë, lakimi i këtyre emrave do të bëhej njësoj si në rastet e emrave të njerëzve, pra me mbaresë të trupëzuar. Një mundësi tjetër do të ishte përjashtimi i këtyre kategorive të emrave të përveçëm nga rregulli i mësipërm dhe të shkruarit e tyre si në gjuhët e origjinës. Në një rast të tillë do të shkruanim:
Facebook, Google, Word, Instagram, Apple, Unix, Sony, Python, Microsoft, Java, Windows, Javascript, Cisco, Samsung Galaxy, Pascal (gjuha e programimit), iPhone, Siemens etj.
Në shfaqjen e parë të një emri të tillë mund të shënohet në kllapa transkriptimi i shqiptimit të tij në gjuhën shqipe, duke ndihmuar kështu lexuesin që nuk e njeh gjuhën e huaj të origjinës së atij emri dhe nuk është mësuar me fonetikën e saj. Mund të shkruajmë p.sh. Unix (shqipto: juniks), Facebook (shqipto: fejsbuk), Google (shqipto: gugëll) etj. dhe në shfaqjet e tjera të shkruhet vetëm emri siç paraqitet në gjuhën burimore, pra Unix, Facebook, Google, etj. Në tekstet nga fusha e teknologjisë së informacionit ku emrat e tillë ndeshen shpesh, sqarimi i shqiptimit të tyre mund të jepet për lehtësi paraprakisht në ndonjë tabelë në krye të tekstit, në vend që të vendoset në kllapa në shkrimin e parë të secilit emër.
Nëse i referohemi bibliografisë, mund të vëmë re se në këtë pikë ka kontradikta, pra autorët ndjekin herë rregullin e parë dhe herë të dytin brenda të njëjtit libër apo shkrim. Ndodh madje shpesh që i njëjti emër i përveçëm të shkruhet në forma të ndryshme brenda së njëjtës faqe të një libri. Kjo gjë vihet re p.sh. tek [2] f. 27. Në këtë rast, emri i programit “Microsoft Excel” shkruhet Excel, si në gjuhën burimore, por edhe Eksel, pra i përafruar me shqiptimin në gjuhën shqipe. Vihet re gjithsesi se shkrimi si në gjuhën burimore ndeshet më shpesh, por fatkeqësisht pa e sqaruar shqiptimin në kllapa. Ndeshet madje edhe praktika e shkrimit të këtyre emrave si në gjuhën burimore, por duke i përfshirë brenda thonjëzave. Kjo vihet re te [3] ku lexojmë:
“Google”, “Amazon”, “AlexNet”, “IBM”, “iPhone”, “Microsoft”, “DeepBlue”, “OpenAI”, “Baidu”, “Facebook”, “GPT-3”, “Reddit”, “Apple”, “DeepMind”, “Samsung”, “YouTube”, “Siri”, “Oxbotica”, “Face++” etj.
Këtu gjykojmë se kemi të bëjmë me një përdorim të tepruar të thonjëzave, çka krijon vështirësi praktike. Për mendimin tonë, shkrimi i kësaj kategorie emrash si në gjuhën e tyre burimore dhe jo midis thonjëzave është mënyra më e përshtatshme, për disa arsye. Së pari, në shumicën e gjuhëve ndiqet ky rregull, pra emrat e firmave dhe markave të njohura ndërkombëtarisht shkruhen siç paraqiten në gjuhën e tyre burimore. Në kategorinë e gjuhëve që ndjekin këtë rregull ka madje edhe gjuhë me natyrë fonetike, pra si gjuha shqipe. Së dyti, emrat e kësaj kategorie njihen në mbarë botën siç paraqiten në gjuhën burimore. Modifikimi i formës origjinale të tyre krijon hutim të lexuesit dhe keqkuptime të shumta. Së treti, nuk ka gjithnjë pajtueshmëri për përshtatjen në gjuhën shqipe të shqiptimit të këtyre emrave. P.sh., emri i kompanisë amerikane Facebook në disa raste shqiptohet fejsbuk dhe në disa të tjera feisbuk. Vështirësi të
tilla ndeshen edhe me emra njerëzish si shkrimtari James Joyce, emri i të cilit ndeshet Xhejms Xhois por edhe Xhejms Xhojs. Së katërti, përshtatja në gjuhën shqipe e çdo emri të huaj të përveçëm krijon vështirësi të shumta dhe nuk është praktike. Së fundmi, futja në thonjëza e emërtimeve prej një fjale të vetme, nuk është e domosdoshme (në dallim nga emërtimet prej disa fjalësh), nuk është praktike dhe krijon ngarkesë grafike të kotë.
Në rastet kur emrat e huaj të përveçëm shkruhen si në gjuhën burimore, lakimi paraqitet pak më i ndërlikuar. Lind nevoja e përdorimit të vizës për ndarjen e rrënjës së huaj nga mbaresa e shqipes. Na duhet, pra, të shkruajmë në raste të ndryshme:
llogari Facebook-u, mbylla Facebook-un, përdorues i Facebook-ut, llogaria e Google-it, mbyll Word-in, kompjuter nga Apple-i, telefon i Apple-it, administrator i Unix-it, mbështetje nga Microsoft-i, sistem i Microsoft-it, komandë Windows-i, përdorues i Windows-it, kod Python-i, klient i Samsung-ut, mësoj Javascript-in, rrjet i Cisco-s, përdorues i Instagram-it, shërbim nga Google-i, çmimi i iPhone-it, udhëzuesi i Java-s etj.
Ky rregull ndiqet deri diku në bibliografi, por përsëri vihet re mungesë koherence jo vetëm midis teksteve të ndryshme, por edhe brenda të njëjtit tekst. Ndër të paktat tekste ku ka koherencë në këtë pikë mund të përmendim [4] dhe [5], tek të cilat emrat e huaj lakohen gjithnjë me vizë. Në tekstet e tjera, lakimi me vizë nuk është sistematik. Një trajtim më i plotë i kësaj teme jepet te ky shkrim dhe te [6].
Referenca
- Androkli Kostallari, Mahir Domi, Eqrem Çabej, Emil Lafe: Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Akademia e shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë, Instituti i gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë, 1973.
- Marenglen Bukli, Esmeralda Tasho, Genc Brahimaj, Guri Tome: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula bërthamë)”, ERIK, Tiranë, 2010.
- Matt Burgess: “Inteligjenca Artificiale: Si do të përcaktohet dekada e ardhshme nga zhvillimi i sistemeve kompjuterike?”, Lekë, 2021.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 10 (për klasën e 10-të të arsimit të mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2016.
- Ada Gogu, Altina Myderizi: “Teknologjia e Informacionit dhe e Komunikimit 11 (për arsimin e mesëm të përgjithshëm)”, Pegi, Tiranë, 2017.
- Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930