WhatsApp implementon kriptimin “end to end”

WhatsApp ka forcuar kriptimin e aplikacionit të tyre të mesazheve, një zhvillim i cili në teori e bën të vështirë për zbatuesit e ligjit të fitojnë akses në komunikimet që ju zhvilloni.

Krijuesi i WhatsApp tha të Martën se aplikacioni tani ka implementeuar kriptimin “end to end”, që do të thotë se vetëm përdoruesit e autorizuar mund të dekriptojnë mesazhet.

“Ideja është e thjeshtë: kur ju dërgoni një mesazh, i vetmi person që mund të lexoj mesazhin është personi ose grupi të cilit i keni dërguar mesazhin. Askush nuk mund të hyj brenda atij mesazhi. As hakerat. As kriminelat kibernetik, Madje as ne.” – shkroi në një blog post Jan Koum dhe Brian Acton.

Levizja nga WhatsApp erdhi pas debatit të ashpër mbi përdorimin në rritje të kriptimit dhe si ajo ndikon në investigimin e zbatuesve të ligjit.

Në Shkurt, një gjykatës urdhëroi që Apple të krijonte një version të veçantë të sistemit të saj operativ mobil që do të ndihmonte FBI-në të hynte në telefonin e përdorur ne vrasjet e San Bernardino. Apple kundërshtoi, duke sjellur kështu një debat të gjerë.

Çështja më pas u pushua pasi FBI-ja tha se kishte gjetur një mënyrë për të zhbllokuar telefonin me ndihmën e një pale të tretë. Por duhet theksuar se ka disa raste të ngjashme të pazgjidhura.

Pajisjet që përdorin WhatsApp mbajnë çelësat e kriptimit dhe dekriptimit të mesazheve të dërguara. Kjo do të thotë se zbatuesit e ligjit nuk mund të shkojnë tek WhatsApp ose tek një ofrues tjetër shërbimi për të marrë këto çelësa.