Sa i sigurtë është smartfoni juaj?
Në vitin 2015, Qëndra e Kërkimeve “Pew” e bëri zyrtare. Përqindja e atyre që zotërojnë një smartfon tani është më e lartë se ata që zotërojnë kompjutera (desktop apo laptop). Që nga 2012-ta, përqindja e personave që zotëronin kompjutera ka qenë duke rënë në mënyrë të qëndrueshme dhe në këtë mënyrë numri i personave që aksesojnë internetin nëpërmjet kompjuterave ka rënë. Shumë njerëz tani qasen në internet nëpërmjet smartfonëve të tyre.
Për vite me rradhë, ekspertët e teknologjisë i kanë paralajmëruar njerëzit që të mbrojnë kompjuterat e tyre nga sulmet e viruseve, maluerëve apo hakerave. Tani, po këta ekspertë e kanë kaluar vëmendjen e tyre tek smartfonët. Me një arsye të mirë: të paktën 1/3 e përdoruesve të smartfonëve nuk bëjnë asgjë (as të përdorin një kodkalimi të thjeshtë) për të mbrojtur telefonat e vetë.
Është koha që njerëzit të kuptojnë rëndësinë e të siguruarit të smartfonëve të tyre.
Pse duhet t’a mbroj telefonin tim?
Përafërsisht 30 përqind e të gjithë përdoruesve të smartfonëve bëjnë blerje online me telefonat e tyre dhe Banka Botërore ka vlerësuar që 67 miliard dollarë në shitjet online, në vitin 2015 janë shpenzuar nga telefonat. Këto shifra janë vërtet marramendëse dhe pritet që vetëm të rriten.
Çdo ditë ne shohim reklama që na tregojnë se sa e thjeshtë është të bëjmë pagesa duke përdorur smartfonin tonë dhe sa e lehtë është të blejmë produkte nëpërmjet aplikacioneve. Mund të jetë e lehtë por i gjithë aktiviteti që kryejmë online na ekspozon informacionin tonë personal në një rrjet krejtësisht të ri keqbërësish. Ekspertët pohojnë se smartfonët nuk janë aspak të vështirë për t’u hakuar, që do të thotë se i gjithë informacioni personal dhe financiar, ndodhet aty që dikush t’a shohë dhe t’a vjedhë.
Mënyra të thjeshta se si të siguroni smartfonin tuaj
Sigurimi i smartfonit fillon duke zhvilluar zakone të mira kur ruani dhe përdorni informacion. Nëse smartfoni juaj ka ndonjë opsion për kyçjen e ekranit, sigurohuni që t’a aktivizoni. Mos përdorni një fjalëkalim apo kodkalim që mund të gjendet lehtë dhe mos mbani vetëm një për shumë kohë.
Shkarkoni përditësimet e sistemit operativ (natyrisht nëpërmjet Wi-Fi) dhe instalojini në mënyrë që të jeni gjithmonë të përditësuar dhe të mbrojtur përkundrejt ekspozimeve dhe problemeve të njohura.
S’ka rëndësi se çfarë lloj smartfoni po përdorni, gjithmonë në publik përdorni një lidhje të sigurtë Wi-Fi. Përdoruesit e Nexus mund të përdorin Wi-Fi Assistant në mënyrë që të sigurojnë lidhjen me pikën e aksesit të Wi-Fi.
SurfEasy është një aplikacion për Android dhe iPhone i cili ju lejon të shfrytëzoni lidhje Wi-Fi të pasigurta teksa ju mbron të dhëna të cilat merren dhe dërgohen, që do të thotë se ju jeni më pak të ekspozuar ndaj sulmeve.
Gjithashtu ju duhet të jeni shumë të kujdesshëm rreth identifikimit të personalitetit apo informatave të prekshme që ruani në pajisjen tuaj. Nëse ju ka humbur ndonjëherë telefoni, ekrani i kyçur qëndron mes personit që e gjen dhe informacionit që telefoni përmban. Find my iPhone dhe Android Device Manager do ju lejojnë t’a gjurmoni dhe nëse do jetë e nevojshme, të fshini çdo gjë në telefonin tuaj nëse bie në duar të gabuara.
Po aplikacionet?
Kur shikoni për aplikacione për të shkarkuar, gjithmonë përdorni dyqanin zyrtar të aplikacioneve për telefonin tuaj (Play Store për Android dhe App Store për iPhone). Shmangni shkarkimin e aplikacioneve nga ndonjë vend tjetër vetëm në rast se i besoni pa dyshim burimit.
Aplikacionet e sigurisë ndryshojnë nga njëra platformë në tjetrën kështu që tregohuni të zgjuar në mënyrë që të familjarizoheni me aplikacionet më të mira të sigurisë, posaçërisht për smartfonin tuaj. Për platformën e iPhone, Trend Micro dhe McAfee ofrojnë një komplet aplikacionesh sigurie për telefonin tuaj.
Për platformën Android (e cila përfshin linjën Galaxy të Samsung dhe për të përmendur disa telefona të tjerë nga fabrikantë të ndryshëm, si LG, Moto, HTC, Huawei etj), Avast dhe 360 Security janë mjaft popullorë.
Versioni i shkurtër “i historisë.”
Përderisa po i largoheni më shumë më shumë kompjuterit apo laptopit si pajisjen tuaj kryesore, mos harroni që “të merrni me vete” në mobile, edhe praktikat e sigurisë. Smartfoni juaj është po aq i prekshëm ndaj sulmeve sa çdo pajisje tjetër kompjuterike. Thjesht disa hapa të thjeshta në sigurimin e telefonit tuaj, mjaftojnë që ju të mbroni të dhënat tuaja e të mos e vrisni më mendjen, për një kohë jo pak të gjatë.