Xiaomi do të prezantojë dronin e tij të parë më 25 Maj
Prodhuesi Kinez Xiaomi jo befasisht po futet në biznesin e droneve (e kush ka mbetur pa u futur?), dhe një poster promovues në forumet e tij na tregon se do të mësojmë më shumë për këtë më 25 Maj.
Posterat janë në gjuhën Kineze, por ca gjëra arrijmë ti kuptojmë: do të bëhet një prezantim në orën 7 pasdite me orën lokale më 25 Maj rreth një kuadkopteri. Ka edhe një poster tjetër (në të cilin nuk kuptohet asgjë) por tregon një helikë lodër.
“Surpriza nuk përfundon këtu. Diçka e paparë do të fluturojë tek ne shumë shpejt,” tha moderatori i cili i postoi këto postera në forumin e Xiaomi-t.
Burimet e mëparshme tregonin se droni mund të kontrollohej nga një pajisje e cila mund të vishet, dhe do të ofrojë xhirime videosh në 4K. Thashethemet parashikojnë se do të jetë një pajisje e teknologjisë së lartë gjithashtu, kështu që mos prisni një dron buxhetor nga Xiaomi këtë herë.