Blog: A po e shkatërron internetin AdBlock?

Nëse ka ndonjë gjë me të vërtetë të bezdisshme në internet, ato janë reklamat. Seriozisht, mjafton të hapësh një faqe të rëndomtë në internet, dhe shfletuesi do të pësojë “crash” sepse nuk ngarkohet plotësisht për shkak të tonelatave të reklamave që përmban ajo faqe. Dhe pasi ajo të jetë ngarkuar (gjithmonë, nëse keni një internet të shpejtë dhe kompjuter me parametra të mira) sapo të klikoni diku, do t’ju hapen sa hap e mbyll sytë minimumi tre reklama pop-up, dhe do të përfundoni duke u regjistruar për të parë videot e LiveJasmin.

D.m.th. kaq keq është situata. Ose kur bëhet fjalë për të shkarkuar diçka, duhet të kemi intuitën e një detektivi krimesh të rënda për të gjetur butonin e saktë të shkarkimit nga gjithë ato reklama me tekste “Download” dhe “Play Now”. Por pas një farë kohe mësohesh, dhe nuk të bëjnë më përshtypje. Për mua ajka e reklamave do të mbeten ato të tipit: “[foto bodybuilder-i] Instruktorët e palestrave e urrejnë atë. Mësoni sekretin e tij.” dhe “Gjeni vajza të bukura pranë zonës suaj të banimit”. Kanë një mungesë të theksuar kreativiteti, por ama të paktën të bëjnë të qeshësh.

Mirë, mjaft me shaka dhe le të kalojmë në thelb të temës për të cilën dua t’u flas këtë radhë. Çështja është se Adblock (plugin i cili bllokon reklamat në një shfletues) ka një numër përdoruesish shumë të madh i cili është gjithnjë e në rritje. Duket se njerëzit po bezdisen nga reklamat e ekzagjeruara në internet (dhe të drejtë kanë) dhe po detyrohen të përdorin plugin të palës së tretë për t’i bllokuar ato. Dhe në fakt ky është një shqetësim mjaft i madh.

Po ku është problemi realisht?

Problemi është se 90% e faqeve në internet përdorin reklamat, dhe janë ato që sjellin të ardhurat të cilat ndihmojnë financiarisht administratorët dhe mbajnë “gjallë” faqen. D.m.th. ato kanë një rol kyç në mbarëvajtjen e faqes.
Dhe tani thjeshtë imagjinoni sikur të gjithë ne përdorim AdBlock, askush nuk i sheh reklamat, askush nuk i klikon ato. Interneti do të ishte krejt ndryshe, apo jo? Të ardhurat do të ishin mjaft të kufizuara, dhe nuk do të kishte shumë faqe të cilat do të ofronin skeda për të shkarkuar apo informacione të ndryshme për të lexuar.

Ju mund të vazhdoni ta përdorni AdBlock. Në fund të fundit, sado i dëmshëm të jetë ai për internetin, askush nuk ju detyron të mos e përdorni atë. Por, sipas meje moderimi i përdorimit të tij është i nevojshëm. Vërtetë, në internet ka faqe mjaft të mira që ofrojnë shumë shërbime të nevojshme për përdoruesit e tyre, dhe nuk mendoj se ato faqe e meritojnë t’u bllokosh reklamat. Thjeshtë mendojeni si një shenjë mirënjohje. Pastaj, askush nuk ka vdekur nga reklamat. 😛

Besoj se ju ka rastisur të shihni një kanal televiziv Italian (nuk besoj se nuk ju ka rastisur, por megjithatë mund të pyesni prindërit tuaj sepse jam i sigurt që ato kanë parë), dhe i keni vënë re reklamat e tepërta. Po, televizionet Italiane transmetojnë shumë reklama. Po, do pyesni ju, populli a është mërzitur ndonjëherë nga reklamat e shumta? Besojeni ose jo, por në vitin 1995 qeveria Italiane mbajti një referendum për këtë çështje, dhe rezultoi se populli ishte dakord që televizionet të vazhdonin të transmetonin shumë reklama. Po pse, do thoni ju… Po sepse nga të ardhurat e shumta që sjellin reklamat e shumta, vijnë edhe programet e mira nga financimet e mira. Dhe e njëjta gjë ndodh edhe me internetin. Sa më shumë të ardhura të ketë një webfaqe, aq më e mirë është përmbajtja e saj. Kaq e thjeshtë është!

Tani shpresoj që kjo tezë t’ua ketë mbushur mendjen ta çaktivizoni AdBlock-un, të paktën për disa faqe të mira specifike, si p.sh: faqja jonë, etj. 😛

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.