Terminologji Informatike: Prapashtesa TIVE

Problemet me prapashtesat që janë trajtuar në shkrime të ngjashme shfaqen edhe te përdorimi i huazimeve me prapashtesën -tive. Shumica e fjalëve shqipe që mbarojnë me -tiv ose -tive (sipas gjinisë) kanë një formë tjetër me -ues ose -uese që është njësoj e vlefshme. Kjo vihet re në shembuj si “informativ” dhe “informues”, “provokativ” dhe “provokues”, “edukativ” dhe “edukues” etj., të gjitha të shpjeguara në FGJSSH. Problem përbëjnë disa fjalë angleze me -tive të cilat përdoren edhe në shqip pa asnjë përkthim apo përshtatje. Më poshtë jepen disa shembuj, duke vënë në dukje variantin e saktë me shkrim të drejtë dhe të theksuar, si edhe ndonjë variant të gabuar që paraqitet midis simboleve * (yllth).

additive është mbiemër që cilëson diçka që gëzon vetinë e mbledhjes, pra që pranon njësi shtesë. Kjo fjalë duhet përkthyer mbledhës, shtues dhe jo *aditiv*. Shembuj: additiv unit — njësi mbledhëse, additive circuit — qark mbledhës.
communicative cilëson diçka që ka aftësi për të komunikuar apo shkëmbyer informacion. Kjo fjalë duhet të përkthehet komunikues, komunikuese dhe jo *komunikativ* siç e hasim te [1] f. 50. Shembuj: communicative skills — aftësi komunikuese, communicative units — njësi komunikuese.
multiplicative në përgjithësi cilëson diçka që gëzon vetinë e shumëzimit, pra që shfaqet si faktor i një prodhimi. Kjo fjalë duhet të përkthehet shumëzues, shumëfishues dhe jo në formën *multiplikativ*. Shembuj: multiplicative unit — njësi shumëzuese, multiplicative circuit — qark shumëzues.

Rast të veçantë përbëjnë fjalët conjuctive dhe disjuctive të cilat përdoren në matematikë dhe logjikë, përveçse në ligjërimin e përgjithshëm në të cilin mund të shprehen nga fjalët shqipe lidhës dhe ndarës. Gjykojmë që huazimet konjuktiv dhe disjunktiv janë të nevojshme për të shprehur kuptimet specifike të matematikës dhe logjikës. Një trajtim më i hollësishëm i parashtesave dhe prapashtesave problematike jepet te [2].

Referenca

  1. Marenglen Bukli, Genc Brahimaj, Silvana Greca, Indrit Baholli: “TIK i Avancuar (për klasën e njëmbëdhjetë të gjimnazit, kurrikula me zgjedhje të detyruar)”, ERIK, Tiranë, 2010.
  2. Erion Çano, Edmond Tupja: “Terminologji Informatike: Problematika dhe Zgjidhje”, UETPRESS, Tiranë, 2022, URL: https://zenodo.org/record/6378930