Apple na thotë “Shihemi më 7 Shtator”
Shtatori njihet nga të gjithë njerëzit mbarë botës si muaji i parë i vjeshtës, por për fansat e Apple njihet si muaji i konferencës së përvitshme ku kompania prezanton produktet dhe shërbimet e reja.
Apple ka vendosur që këtë vit ta mbajë konferencën më datë 7 Shtator, dhe kështu ka nisur ftesat për mediat anembanë botës për të marrë pjesë në event, dhe e ka publikuar njoftimin edhe në faqen e saj zyrtare.
Çfarë mund të presim nga konferenca e Apple?
Nga vetë mesazhi që kompania ka vendosur në lidhje me eventin, “See you on the 7th”, përkthyer: “Shihemi në të 7-in”, kemi një të dhënë të fortë që gjenerata e ardhshme do të quhet iPhone 7 (ashtu siç duhet të jetë në fakt). Por ka pasur aludime që iPhone i cili do të prezantohet javën e ardhshme do të quhet “iPhone 6SE”, për t’ia lënë radhën 7-ës vitin që vjen, meqë përkon edhe me 10 vjetorin e iPhone. Por edhe iPhone 7 i prezantuar më datë 7 nuk ngjan keq, ë?
Sa për parametrat e pajisjeve, i kemi diskutuar edhe më parë në një artikull tjetër, pra pritet që të kenë procesorët dhe koprocesorët A10 dhe M10, një (ose më mirë dy) kamera të përmirësuara, memorje duke nisur nga 32GB. Për dizajnin nuk ka shumë thashetheme, por pritet që Apple të “përkujtojë” iPhone 5 duke sjellë iPhone 7 edhe në ngjyrën “Space Black”.
Gjithashtu mendohet se do të hiqet porta 3,5mm e kufjeve në iPhone, dhe do të ketë vetëm një “Lightning”.
Sa për Apple Watch, Pritet të prezantohet versioni 2 i produktit me një dizajn i ri me ngjyra të reja, rripa të rinj, si dhe shtimi i një çipi GSM.
Thashethemet kanë qenë premtuese edhe për MacBook Pro. Thuhet se laptopi “super i shtrenjtë” i Apple do të vijë i përditësuar me një dizajn më të hollë, Touch ID dhe një panel prekjeje dinamik OLED. Gjithashtu do të shtohen edhe një sërë karakteristikash të reja të cilat do të mundësojnë ndërveprimin e MacBook-ut me iPajisjet e tjera.
Pas konferencës, do të lëshohen për përditësim edhe softuerët e operimit si: iOS 10, macOS Sierra, WatchOS 3 dhe tvOS 10.
Këto janë një pjesë e zhvillimeve që priten të prezantohen gjatë konferencës, e cila do të mbahet më datë 7 Shtator në orën 10 paradite (19:00 me orën tonë lokale). Ju mund ta ndiqni atë direkt në faqen zyrtare të Apple në internet.
Pas konferencës, për të gjitha zhvillimet do të flasim këtu në faqen tonë.