Doze Mode në Android N vjen me dy faza sa i përket jetëgjatësisë së baterisë

Me ardhjen e Android N Developer Preview i cili është në dispozicion për të gjitha pajisjet Nexus që janë kompatibël me të, një nga ndryshimet e reja që u vu re ishte përmirësimi i tiparit Doze Mode, tipar i cili u prezantua fillimisht vitin e kaluar gjatë “Developer Preview” për Android M, i njohur tani si Android 6.0 Marshmallow. Doze Mode fillimisht lejonte përdoruesit të ruanin pak më shumë jetëgjatësinë e baterisë në qoftë se telefoni qëndronte i paprekur ndërkohë që ekrani ishte në “gjumë”. Me ardhjen e Android N, ky tipar do të aktivizohet kur ekrani është në gjumë, pa marrë parasysh nëse telefoni rri i pa prekur ose jo. Ky sipas gjbiteam.com është një përmirësim vërtetë shumë i mirë, por prisni se ka akoma.

Sipas detajeve në uebsajtin Developer të Android N Developer Preview, në fakt janë dy faza sa i përket kufizimit të aktivitetit të sistemit që aplikohen nga Doze Mode (imazhet më poshtë). Jo vetëm që ka dy faza të kufizimit të aktivitetit të sistemit, por siç përmendëm dhe më sipër, Doze Mode aktivizohet vetëm pasi ekrani është në gjumë për një sasi të caktuar kohe. Në momentin kur e vendosni pajisjen në karikim, Doze Mode do të ç’aktivizohet në vend.

Pasi një përdorues fik ekranin e pajisjes së tij i cili ka të instaluar Android N dhe qëndron në gjumë për një kohë të caktuar, Doze Mode futet në fazën e parë të kufizimit të aktivitetit të sistemit dhe bllokon aksesin në rrjet për disa aplikacione që kanë nevojë për të, si dhe sigurohet që disa detyra dhe sinkronizime t’i shtyjë për më vonë. Pasi Doze Mode arrin në fazën e dytë, do të bllokojë alarmet, GPS, dhe skanimin e WiFi për të përmirësuar më tej jetëgjatësinë e baterisë për përdoruesit. Siç mund të pritet, Doze Mode do të ç’aktivizohet pasi ekrani ndizet apo menjëherë kur përdoruesi vendos pajisjen në karikim.