Kryeministri i Japonisë Shinzō Abe shfaqet në ceremoninë mbyllëse të lojërave Olimpike i veshur si Super Mario
Shtetet e Bashkuara mund të kenë marrë më shumë medalje se çdo shtet tjetër në olimpiadën e Rio-s, por për performancën skenike, trofeu i shkon Japonisë.
Siç është edhe tradita tek Lojërat Olimpike, në ceremoninë e mbylljes i lihet disa minuta në dispozicion vendit në të cilin do të zhvillohet olimpiada e ardhshme, (në këtë rast në Tokio në vitin 2020) dhe japonezët kanë pasur një ide fantastike se si t’i përdorin këto minuta për t’i dhënë një “grimcë” nga çfarë do të ndodhë në Tokio 2020.
Pamjet në fillim fillojnë me një kartolinë të Tokios me sportistët olimpikë të Japonisë, të ndërthurura me kartonat e mirënjohur Japonez, dhe më pas kalon tek Kryeministri Japonez Shinzō Abe i cili shqetësohet se nuk do të mund të arrijë dot në kohë për ceremoninë e mbylljes së Lojërave Olimpike të Rio 2016, dhe kështu shndërrohet në ikonën e videolojërave Super Mario i cili më pas do të futet në tubat klasik ngjyrë të gjelbër deh do të kalojë mes për mes globit për të arritur në Rio.
Japonezët në përgjithësi njihen si njerëz të qetë e seriozë, sidomos kur vjen puna tek politikanët, por nëse edhe Lojërat Olimpike të Tokio 2020 do të jenë aq gallatë sa ardhja e Kryeministrit të vendit si Super Mario në stadiumin “Maracanã”, atëherë olimpiada e ardhshme do të mbahet mend gjatë.