Apple lëshon zyrtarisht përditësimin OS X 10.11.4 El Capitan

Apple ka lëshuar zyrtarisht përditësimin OS X 10.11.4 El Capitan nëpërmjet Mac App Store. Përditësimi i softuerit është në dispozicion për të gjithë kompjuterat Mac që janë në gjendje të mbështesin OS X 10.11. Përditësimi i Mac sjell karakteristika të reja duke përfshirë shikimin e Fotove Live dhe duke i ndarë ato nëpërmjet iMessage duke përdorur aplikacionin e Messages, si dhe gjithashtu mbështetje sigurie me anë të një fjalëkalimi për shënimet individuale në aplikacionin Notes.

Më para, në Mac mund të shihje Fotot Live vetëm përmes aplikacionit Photos dhe në situata të kufizuara. Duke filluar me këtë version, Fotot Live të shkrepura në iPhone 6S, 6s Plus dhe iPhone SE mund të ndahen dhe të shihen lehtë në Mac përmes iMessage duke përdorur aplikacionin Messages.

Sa i përket aplikacionit Notes, ky i fundit ka fituar një karakteristikë të re, tani është në gjendje të sigurojë shënime individuale me anë të një fjalëkalimi të sigurt. iOS 9.3 është i nevojshëm për të parë këto shënime në iPhone dhe iPad. iCloud.com gjithashtu është përditësuar për të mbështetur këto shënime të mbrojtura me fjalëkalim.

Me që jemi tek Notes, OS X 10.11.4 gjithashtu ju lejon të importoni lehtë shënimet nga shërbime të tjera duke përfshirë edhe Evernote.