Si të fshihni skedarët dhe dosjet në çdo sistem operimi
Epo, të gjithë kemi të paktën një dosje të mbushur me materiale “për qëllime akademike shkencore” të cilën duam ta fshehim nga përdoruesit e tjerë të kompjuterit. Dhe në këtë postim do t’ju tregojmë se si të fshihni një skedë apo dosje në çdo sistem operimi.
Një skedar apo dosje e fshehur është një skedar apo dosje normale në të cilën është vendosur opsioni “hidden”. Sistemet e operimit i fshehin këto skeda vetëvetiu, kështu që mund ta përdorni këtë trik për të fshehur disa skeda nëse ju ndani një kompjuter me dikë tjetër.
Ky trik është shumë i thjeshtë. Dhe këto skeda mund të gjehen vetëm nëse klikohet opsioni “show hidden files”. Sistemet e operimit fshehin shumë skeda sistemi vetëvetiu, thjeshtë që të mos i hasni ju ato.
Fshihni një skedë apo dosje në Windows
Për të fshehur një skedar apo dosje në Windows, hapni një dritare të Windows Explorer apo File Explorer dhe selektoni dosjen apo skedën të cilën doni të fshihni. Më pas klikojeni atë me të djathtën e mouse-it dhe klikoni Properties.
Klikoni në kutizën e Hidden tek kartela General e dritares Properties. Klikoni OK apo Apply dhe skeda apo dosja juaj do të fshihet.
Windows ka edhe një tip tjetër të një skede apo dosje të fshehur, e njohur si “system file” (skedë sistemi). Ka një opsion të veçantë për të parë skedat apo dosjet e sistemit. Ju mund ta bëni një skedë ekstra-të fshehur duke e shënuar aty si një system file, kështu përdoruesve do të duhej të ndryshonin opsionin e “Hide protected operating system files (recommended)” për t’i parë këto skeda, gjë e cila nuk para ndodh.
Shihini skedat apo dosjet e fshehura në Windows
Për të parë një skedë apo dosje të fshehur në Windows 8 apo 10, klikoni kartelën View tek shiriti sipër dritares së File Explorer dhe klikoni në kutizën e Hidden items poshtë Show/Hide. Ikonat e skedave apo dosjeve do të jenë pjesërisht transparente, kështu që mund ta dalloni lehtësisht cilat janë të fshehura e cilat jo.
Në Windows 7, klikoni butonin Organize në tek toolbar dhe selektoni Folder and search options.
Klikoni kartelën View dhe selektoni opsionin Show hidden files, folders, and drives. Klikoni OK ose Apply për të ruajtur ndryshimet.
Fshihni një skedë apo dosje në Linux
Linux i fsheh skedat dhe dosjet të cilat kanë një pikë në fillim të emrit të tyre. Për të fshehur një skedë apo dosje, thjeshtë riemërojeni atë dhe shkruani një pikë në fillim të emrit të tyre. Për shembull, le të themi se ju keni një dosje të emëruar Secrets të cilën doni ta fshihni. Ju do të duhet ta riemëroni atë në .Secrets, me pikë përpara. Gjithashtu mund të përdorni edhe programe të tjera shtesë për të kryer këtë shërbim.
Shihini skedat apo dosjet e fshehura në Linux
Në mënyrë që të shihni skedat apo dosjet e juaja të fshehura në Linux ju duhet të selektoni opsionin “Show hidden” në menaxhuesin e skedave tuaja. Për shembull, menaxhuesin e skedave Nautilus i cili përdoret në Ubuntu dhe distributorë të tjerë të Linux të bazuar në GNOME, klikoni menunë View dhe selektoni View Hidden Files.
Opsioni do të shfaqë vetëm skedat apo dosjet me një pikë në fillim të emrit të tyre.
Ju mund ti shihni skedat dhe dosjet e fshehura duke përdorur edhe një menu Open ose Save gjithashtu. Në Ubuntu dhe në distributorë të tjerë të Linux të bazuar në GNOME, thjeshtë klikojeni atë me të djathtën në listën e skedave, dhe selektoni opsionin Show Hidden Files.
Fshihni një skedë apo dosje në Mac
Sistemet Mac gjithashtu mund ti fshehin skedat apo dosjet me karakterin . në fillim të emërtimit. Gjithashtu ka edhe një atribut “fshehjeje” special të cilën e zbaton Finder-i. Të fshehësh një skedë apo dosje në Mac është pak më e vështirë. Përpiquni ta riemërtoni një skedë apo dosje me . përpara emrit dhe Finder-i do t’ju thotë “këto emërtime janë të rezervuara për sistemin.” Gjithashtu nuk ka mënyrë më të shpejtë për të ndryshuar gjendjen e atributit të fshehur në ndërfaqen grafike të Finder-it.
Ju mund ta shënoni një skedë apo dosje si të fshehur me anë të komandës chflags në terminal. Pikë së pari, hapni një dritare të Terminal-it duke shtypur Command + Space, shkruani Terminal në dritaren e kërkuesit, dhe shtypni Enter.
Shkruani komandën e mëposhtme në temrinal, por mos shtypni Enter:
[box]chflags hidden [/box]
Sigurohuni që të shtypni hapësirë pas “hidden”.
Më pas, gjeni vendndodhjen e skedës apo dosjes të cilën doni të fshihni tek Finder-i. Tërhiqeni atë dhe futeni në terminal. Rruga e skedës apo dosjes do të shfaqet në terminal.
Shtypni Enter për të nisur komandën. Kjo do ta shënojë skedën si të fshehur.
Përdorni të njëjtën komandë për të ç’fshehur një skedë apo dosje në të ardhmen, duke përdorur “chflags nohidden” në vend të “chflags hidden”.
Shihini skedat apo dosjet e fshehura në Mac
Mac OS X ka një shkurtesë sekrete të tastierës për të parë skedat apo dosjet e fshehura në menunë Open or Save të ç’do programi. Thjeshtë shtypni Command + Shift + Period. Kini parasysh se kjo funksionon në menunë Open and Save, jo vetë tek Finder-i. Megjithatë, kjo mund të jetë mënyra më e përshtatshme për të patur akses në skedat e juaja të fshehura kur ju të keni nevojë për to.
Finder-i nuk ka një opsion grafik për të parë skedat apo dosjet e fshehura. Në vend të saj, ju do t’ju duhet të përdorni një komandë. Fillimisht, hapni një dritare Terminali në të njëjtën mënyrë si më sipër. Shkruani komandat në vijim në Mac OS X 10.9 Mavericks. Këto komanda do të vendosin opsionin i cili i shfaq gjithmonë skedat e fshehura në Finder dhe duhet ta rifilloni këtë të fundit në mënyrë që ndryshimi të marrë efekt. Shkruajini të gjitha komandat në terminal dhe shtypni Enter pas secilës.
[box]defaults write com.apple.finder AppleShowAllFiles TRUE
killall Finder[/box]
(Në versionet e vjetra të Mac OS X para Mavericks, 10.8 Mountain Lion. 10.7 Lion, dhe 10.6 Snow Leopard, përdorni të njëjtën komandë si më sipër por ndryshoni “com.apple.finder” në “com.apple.Finder”, shkronja F këtu dhet të jetë me të madhe në këto sisteme operimi.)
Finder-i do të shfaqë skedat e fshehura. Ato do të jenë pjesërisht transparente kështu që ju mund të shihni se cilat janë të fshehura dhe cilat janë të dukshme zakonisht.
Për të fshehur skedat përsëri, shkruani komandat e mëposhtme në një dritare terminali:
[box]defaults write com.apple.finder AppleShowAllFiles FALSE killall Finder[/box]
(Në versionet e vjetra të MAC OS X, kujtohuni të përdorni “com.apple.Finder”)
Mënyra e fshehjes së skedave apo dosjeve të cilën shpjeguam në këtë postim ishte ajo e fshehjes së tyre me anë të komandave të cilat vetë ofrohen nga këto sisteme operimi, por siç e shihni në këtë postim, ato mund të zbulohen lehtësiht.
Një tjetër mënyrë fshehjesh të dhënash, është ajo e kriptimit të tyre, e cila është më e komplikuar, por 100% e sigurtë. Për metodën e fshehjes së skedave dhe dosjeve me anë të kriptimit do të flasim herën tjetër, por deri atëherë, kontrollojeni faqen tonë përditë. 😀