Blog: Kryqëzimi i iPhone dhe “kuraja” e heqjes së portës së kufjeve

Ka kaluar një javë nga Eventi Special i Apple ku u prezantuan iPhone 7 dhe 7 Plus, Apple Watch 2 dhe “AirPods“, dhe njerëzit vazhdojnë të flasin për të. Është normale, se në fund të fundit këto produkte do të ndryshojnë “trendet” e pajisjeve teknologjike për hir të së vërtetës, dhe kritikat dhe lavdërimet, të merituara apo të pamerituara qofshin ato, do të jenë prezente gjithmonë.

Apple çdo vit e rinovon iPhone me dizajn të ri dhe karakteristika të reja, por ndryshe nga vitet e tjera, iPhone këtë vit vjen edhe pa portën e kufjeve. Apple pretendon se i është dashur shumë kurajë për të bërë një ndryshim kaq të rëndësishëm, i cili nuk është pritur fare mirë nga publiku, dhe ka degjeneruar më pas në atë luftën bajate iOS vs. Android.

Dihet që askujt nuk i pëlqejnë ndryshimet, të jemi të sigurt për këtë, por sa “kurajë” i është dashur Apple për të bërë një ndryshim të tillë?

Unë mendoj se jo shumë. Ose aspak fare më mirë. Gjiganti i pajisjeve teknologjike është i njohur për ndryshime të tilla befasuese, dhe besoj se e gjithë çështje e kurajës qëndron në produktin që do të shërbejë për të “zëvendësuar” ndryshimin e bërë. E kuptuat besoj? Menjëherë pas prezantimit të iPhone, produkti i fundit që Apple prezantoi në konferencën e 7 Shtatorit ishin kufjet wireless “AirPods”. Tashmë është gjithçka e qartë. Apple nuk po mundohet që vetëm të kryejë tranzitin nga kabllot në “wireless” (sepse po të ishte kështu, do të prezantonte edhe karikimin “wireless” gjithashtu) por të sjellë në treg produktet e saj “të reja” dhe me çmime “të arsyeshme” (duhet ta pranojmë këtë).

Por AirPods nuk është i vetmi produkt që Apple kërkon të fusë në treg nëpërmjet iPhone 7. Më 29 Maj të vitit 2014 Apple përvetësoi kompaninë “Beats” për 3 miliard dollarë (një markë tjetër e cila shet kufje me çmime “të arsyeshme”) dhe është shumë logjik kombinimi i iPhone me kufjet e mirënjohura “Beats”. Dhe më e forta është se ky vendim po jep rezultat menjëherë.

Megjithatë, unë për vete nuk mendoj se është ndonjë vendim kaq “tragjik” sa ç’thuhet nëpër media, duke qenë se nuk dëgjoj muzikë me iPhone-in tim teksa ai karikohet. Plus që iPhone 7 do të vijë me një palë kufje “EarPods” dhe një adaptor nga lightning në portë për kufjet, kështu që mungesa e një portë kufjesh nuk është ndonjë problem i madh. Askush nuk po ju detyron të nxirrni nga xhepi 159 dollarë për të blerë një palë kufje të reja.

/GJBITeam

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.