Gjithçka që Apple prezantoi në Eventin e saj Special
Si çdo vit, Eventi Special i Apple ka qenë i mbushur plot me zhvillime, të cilat do të “mundohemi” t’i përmbledhim në webfaqen e GJBITeam në një artikull të vetëm.
Ishte një tweet “aksidentale” nga llogaria zyrtare e Apple në Twitter që e prishi pak surprizën për karakteristikën e rezistencës ndaj ujit dhe pamjes së iPhone 7, por megjithatë konferenca shkoi siç duhet.
Shefi i Apple, Tim Cook, u soll në skenë nga James Corden, prezantuesi i shfaqjes së mirënjohur “Carpool Karaoke”, bashkë me Pharrell Williams, për t’i dhënë një promovim shfaqjes dhe më pas për të folur për 17 milion abonuesit e Apple Music.
iOS 10
Versioni i fundit i sistemit të operimit për celularë të Apple ka qenë në “beta” gjatë këtyre muajve të fundit, dhe do të sjellë një ton me karakteristika të reja për iMessage, përmirësime tek Maps dhe duke e bërë Siri-n akoma më të dobishme me mbështetje për shtojcat. iOS 10 do të mbërrijë më 13 Shtator, këtu keni një përmbledhje të gjithçkaje që duhet të dini rreth tij.
Apple Music
Shërbimi i muzikës ka marrë një ridizenjim të ri në iOS 10, dhe një të tillë mjaft të nevojitur. Përveç pamjes së re më të “fryrë”, gjeneruesi personal i muzikës i quajtur “Discovery Mix” mund ta lehtësojë tranzicionin tuaj nga Spotify.
Ju do të shihni gjithashtu edhe integrimin e lirikave dhe një ndërfaqe më të thjeshtuar, e cila duket sikur Apple News.
Mario po vjen në iOS!
Luajtja e lojërave në iPhone apo në pajisjet Android kurrë nuk më është dukur e plotë. Të mërkurën, krijuesi i Nintendo Shigeru Miyamoto prezantoi Super Mario Run, një vrapues i pafund i cili e mbështet luajtjen me një dorë. Miyamoto duke u tallur tha se loja ishte dizenjuar të luhet me një dorë kështu që me dorën tjetër ju mund “të mbaheni në autobus, të hani një hamburger me djathë, ose një mollë.”
Por ka një problem të vogël. Super Mario Run do të jetë i disponueshëm me anë të një çmimi “simbolik” dhe do të lëshohet gjatë periudhës së festave. Miyamoto tha se vendimi për ta ofruar lojën kundrejt një çmimi “simbolik” ishte që t’ju lejonte ta luanit lojën pa u shqetësuar për blerjet e tjera gjatë lojës.
Ju do të merrni gjithashtu disa stikera interesantë të lojës me filxhanin e Marios kur të lëshohet iOS 10 më 13 Shtator.
Edukimi dhe iWork
Cook u rikthye në skenë për të folur për një iniciativë të Apple për edukimin, si bursa ConnectED. ConnectED ka si synim t’u shpërndajë 50,000 iPad studentëve dhe 4,500 Mac mësuesve.
Më pas Cook ftoi në skenë Susan Prescott, zëvendës-presidenten e departamentit të aplikacioneve, për të na dhënë disa detaje se çfarë po ndodh me iWork-un e harruar.
Të gjitha aplikacionet e iWork, Pages, Notes dhe Keynote, tani ofrojnë bashkëpunimin në kohë reale mes kolegëve. Prescott e demonstroi këtë karakteristikë direkt në skenë duke shkruar një prezantim konference me pesë kontribues.
Apple Watch
Apple Watch sapo është bërë më e shpejtë, më e hollë dhe më emocionuese. “Seria e dytë e Apple Watch”, ose Apple Watch S2, ka një procesor më të mirë, ekran më të shndritshëm (1,000 nits, njësoj si Galaxy Note 7), dhe është rezistente ndaj ujit.
Mbase kulmi i këtij aplikacioni ka kaluar, por përsëri është emocionuese, dhe Pokémon Go do të vijë për Apple Watch. Shefi i Ninatic John Hanke mbërriti në skenë dhe zbuloi Pokémon Go Plus, një aplikacion shtesë për Pokémon Go në WatchOS. Ne do të kemi mundësi ta shohim atë nga fundi i vitit.
Pas kritikave për mungesën e rezistencës ndaj ujit në serinë e parë të Apple Watch, si produktet e Sony apo Samsung, Apple iu bashkua thirrjeve dhe krijoi serinë e dytë të orëve të zgjuara “rezistente ndaj notit”. Ora e parë ofronte rezistencë ndaj ujit në nivelin IPX7, çka do të thoshte se ishte në rregull të bënit një dush me të, por nuk duhet ta merrni me vete në pishinë. Seria e dytë e heq ujin me anë të autoparlantit dhe mund të notoni me të deri nën 50m. Gjithashtu ofron stërvitje në pishinë duke ju matur distancën e notimit, kohën dhe kaloritë e djegura.
Një tjetër problem ishte edhe mungesa e një çipi GPS. Në fillim Apple kërkonte që ju ta lidhnit orën tuaj të zgjuar me një iPhone për të përdorur GPS-në, por tani Apple Watch është e pavarur ndaj iPhone, dhe vjen me një GPS të mbi ndërtuar. Kjo në fakt është një lëvizje e zgjuar, duke qenë që “fitness”-i është padyshim një parim i Apple Watch dhe kërkes për një smartphone të lidhur me të e bën atë më pak tërheqëse se sa orët e tjera të zgjuara të Samsung ose edhe vetë Fitbit.
Apple lidhi përsëri një marrëveshje me Nike për të prezantuar “Apple Watch Nike+”, një version special të produktit ndërtuar vetëm për vrapuesit. Apple Watch Nike+ është e disponueshme në katër ngjyra të ndryshme dhe është dizenjuar për t’ju nxjerrë ju jashtë shtëpisë me vetëm një replikë të thjeshtë, “A do të dalim për vrap sot?”. Ka edhe disa karakteristika sociale të cilat ju lejojnë të dini kur miqtë tuaj po stërviten dhe arritjet e tyre.
Por ky nuk është i vetmi version special i orës. Apple gjithashtu prezantoi një smartwatch të re qeramike. E bardha e perlës është komplet qeramikë dhe shkon shumë mirë me një numër markash ekzistuese.
Trupi i orës gjithashtu ka humbur ca peshë, ndërkohë që merr pak më shumë forcë në formë fuqie të baterisë. Seria e parë e orës është pak e trashë për shkak të gjithë harduerëve të vendosur në të, por seria e dytë do të jetë më e hollë dhe do të ketë një bateri e cila do të jetë 36% më e madhe, se sa seria e parë. Kjo është një gjë e mirë, duke qenë që GPS-ja padyshim do ta shtrydhë jetëgjatësinë e baterisë.
Seria e 2-të do të jetë e disponueshme për t’u porositur më 9 Shtator dhe do të lëshohet në dyqane një javë më vonë, më 16 Shtator. Bashkë S2 dhe Nike+ do të fillojnë nga 369 dollarë, por kjo e fundit do të vijë në Tetor.
WatchOS 3 do të lëshohet për publikun më 13 Shtator.
Edhe seria e parë e Apple Watch do të ketë një përmirësim me procesorin e ri dual-core (njësoj si S2) për 269 dollarë. Edhe kjo seri do të dalë në shitje më 16 Shtator, dhe do të fillojë porositjet më 9 Shtator.
Seria e 2-të e Apple Watch do të ketë GPS dhe rezistencë ndaj ujit
iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus
Titullarët e këtij eventi të Apple janë padyshim iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus. Janë lënë jashtë modelet 16GB, dhe porta e kufjeve, por një sërë karakteristikash të reja dhe mundësia e zgjedhjes midis 5 ngjyrave të ndryshme mund ta lehtësojë dhembjen disi.
Lajmi më i madh mund të jetë veshja “rezistente ndaj ujit”. Apple i ka shtuar rezistencë ndaj ujit të nivelit IP67 në iPhone-t e rinj, një karakteristikë e ngjashme kjo me serinë e parë të Apple Watch. Nuk është komplet rezistent ndaj ujit, por mund t’ju shpëtojë jetën nëse laget sadopak. Për të ndihmuar në rezistencën ndaj ujit, Apple e ka hequr butonin fizik “home” dhe e ka zëvendësuar me një buton të rrafshët.
Opsionet e ngjyrave tani përfshijnë dy hije të ndryshme të të zezës (‘sterrë’ dhe ‘e zezë’) së bashku me Rozën e Artë, të Artën dhe Argjend. Grija kozmike nuk është më në këtë botë.
Sa për memorjen, modeli bazë i iPhone tani do të jetë 32GB, dhe më pas vijon në 128GB dhe 256GB. Modeli bazë 32GB do të fillojë në po të njëjtin çmim si 6S/6S Plus, 649 dollarë për 7-n dhe 769 dollarë për 7 Plus.
Sistemi i kamerës do të ketë karakteristika si të “Lytro”, të cilat do të lejojnë të ri-fokusoni një foto edhe pasi ta keni shkrepur atë, falë dy lenteve të ndara 12 megapiksel. Dy kamerat do t’u ofrojnë fotografëve të smartphone-it mundësinë për të krijuar fotot e tyre me efektin “bokeh”, diçka kjo e mundshme vetëm në kamerat e shtrenjta, ose e imituar keqas në smartphone të ndryshëm.
Versioni Plus do të ketë gjithashtu edhe edhe një grup me katër blice për të mundësuar ngjyra më të mira gjatë përdorimit të tij. 7 nuk do t’i ketë këto karakteristika, por do të ketë akoma atë kamerën mahnitëse 12-megapiksel nga 6S, me disa përmirësime të vogla.
Kamera e përparme do të ketë një rritje rezolucioni nga 5MP në 7MP, kapje më të mirë të ngjyrave dhe auto stabilizim të imazheve.
AV nuk mbetet gjë nëse përmirëson V-në (videon) pa A-në (Audion). iPhone-i i ri do të ketë dy autoparlantë të cilët do të krijojnë tingullin stereo. Autoparlantët gjenden sipër dhe në fund të smartphone-it dhe përveçse krijojnë tingullin stereo, janë edhe më të zhurmshëm.
iPhone 7 do të ketë procesorin “A10 Fusion” 2,4GHz dhe 2,45GHz për iPhone 7 Plus si dhe një GB RAM më shumë për iPhone 7 Plus (3GB në total). Procesorët do të kenë 4 bërthama, ndërsa çipi i grafikës do të ketë 6 bërthama. A10 është 120 herë më e shpejtë se iPhone- origjinal, ndërsa çipi i grafikës është 240 herë më i fuqishëm.
Thuhet që iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus do të kenë jetëgjatësinë e baterisë më të mirë se në çdo iPhone. Jetëgjatësia e baterisë rritet me dy orë në iPhone 7 Plus dhe me një orë në iPhone 7.
Porositjet kanë filluar me datë 9 Shtator, dhe shitjet nëpër dyqane do të fillojnë më 16 Shtator.
Apple prezanton më në fund iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus |
Karakteristikat e iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus
Sa do të kushtojnë iPhone 7 dhe iPhone 7 Plus?
“AirPods”
Dhe , në një farë mënyre kemi zbuluar shkakun e heqjes së portës së kufjeve në iPhone 7. Një produkt i ri të cilin Apple e prezantoi në konferencën e saj ishin edhe kufjet wireless “AirPods”. Ato janë një version i ridizenjuar dhe pa kabllo të “EarPods” të cilat mund të lidhen me iPajisjen me anë të Bluetoth.
Jetëgjatësia e baterisë së tyre do të arrijë deri në 5 orë përdorim, dhe do të karikohen duke u futur në kutinë e tyre, dhe më pas lidhjen e saj me “lightning”. Çmimi i tyre do të jetë 159 dollarë.
Kufjet wireless të Apple janë tashmë një realitet, dhe quhen “AirPods”
Për të lexuar artikujt e tjerë në lidhje me konferencën e Apple në faqen tonë, klikoni këtë link.