Pekka Rantala, Ish shefi i Rovio-s emërohet shef ekzekutiv i Nokia-s

Kanë kaluar vetëm tre muaj që kur morëm vesh që Nokia ia ka dhënë të drejtën e përdorimit të markës së saj në treg kompanisë së re HMD Global për 10 vitet e ardhshme, dhe sot do të mësojmë se shefi i kompanisë që do të risjellë në treg smartphone-t dhe tabletët Nokia do të jetë Pekka Rantala.

Pekka Rantala ka shërbyer për një periudhë 1,5 vjeçare si shef ekzekutiv i kompanisë Rovio, prodhuesit e lojës së mirënjohur Angry Birds (po, është ajo loja që ishte kthyer në tmerr për baterinë e celularit disa vite më parë), dhe për një periudhë gati 20 vjeçare tek Nokia me poste si menaxher i eksporteve, drejtor i eksporteve dhe nëndrejtor i marketingut respektivisht.

HMD Global ka menduar që t’i japë postin e merituar Pekka Rantala në markën e Nokia-s dhe duke shpërblyer gjithashtu edhe shërbimin e tij tek kompania për gati 20 vite.

Nokia dominoi tregjet e celularëve në vitet ’90 por nuk mundi dot të kryente tranzitin nga celularë në smartphone për të qenë në një nivel me Apple, Samsung dhe prodhuesit e tjerë të smartphone-ve Android, çka i kushtoi një humbje masive kompanisë.

HMD Global planifikon të shpenzojë plot 500 milion dollarë në tre vitet e ardhshme në treg për të rigjallëruar markën me smartphone dhe tablete të rinj me sistem operimi Android.

  • 262 Posts
  • 0 Comments
Fiordi është kryeredaktor i Informatriks. Ai është i hapur për çdo sugjerim, ide apo thashethem që mund të keni.